Tabela dhe kush fillon
Tabela ka tre katrorë brenda njëri-tjetrit, të lidhur me vija në mes të brinjëve: gjithsej 24 pika. Secili lojtar ka 9 gurë, njëri të bardhë dhe tjetri të zinj.
Në aplikacion ngjyrat hidhen me short në çdo lojë dhe i bardhi fillon i pari. Kur luani sërish, shorti hidhet përsëri.
Faza e parë: vendosja e gurëve
Me radhë, secili vendos një gur në një pikë të lirë, derisa të vendosen të 18 gurët. Mulli mund të bësh që në këtë fazë.
Mos i shpërndaj gurët pa plan: pikat në mes të brinjëve kanë tre ose katër fqinjë dhe të japin më shumë mundësi për të lëvizur më vonë.
Mulliri: hiq një gur të kundërshtarit
Kur rreshton tre gurë të tu në një vijë, bën mulli dhe heq një gur të kundërshtarit nga tabela. Edhe nëse bën dy mullinj njëherësh, hiqet vetëm një gur.
Gurët që janë brenda një mulliri janë të mbrojtur. Ata hiqen vetëm kur të gjithë gurët e kundërshtarit janë në mullinj.
Faza e dytë: lëvizja dhe fluturimi
Pasi vendosen të gjithë gurët, në radhën tënde lëviz një gur te një pikë fqinje e lirë, përgjatë vijës. Çdo mulli i ri të jep sërish të drejtën të heqësh një gur, ndaj hapja dhe mbyllja e të njëjtit mulli është taktika klasike.
Kur të mbeten vetëm tre gurë, gurët e tu fluturojnë: mund ta çosh gurin në çdo pikë të lirë të tabelës. Kundërshtari vazhdon të lëvizë normalisht.
Kush fiton dhe kur është barazim?
Fiton kush e lë kundërshtarin me dy gurë, sepse me dy gurë s'bëhet më mulli, ose kush e bllokon aq sa ai s'ka asnjë lëvizje.
Loja mbaron barazim kur e njëjta pozitë përsëritet tri herë, ose kur kalojnë 50 lëvizje pa u hequr asnjë gur.
Gur 9 me miqtë
Shkarko EjaLuajm, zgjidh Gur 9 dhe krijo një dhomë private për dy veta. Dërgoji mikut kodin që të uleni në të njëjtën tabelë. Mund të ushtrohesh edhe kundër kompjuterit, që mendon disa lëvizje përpara.
Pyetje të shpeshta
- Si quhet kjo lojë në vende të tjera?
- Në anglisht quhet Nine Men's Morris, në gjermanisht Mühle, në italisht Mulino ose Filetto dhe në frëngjisht Jeu du moulin. Te ne njihet edhe si Mulliri ose Çiçmiç.
- A luhet falas?
- Po. Shkarko EjaLuajm falas për Android ose iPhone dhe zgjidh Gur 9 në aplikacion.
- A funksionon pa internet?
- Jo. Nevojitet lidhje me internet, edhe për lojën kundër kompjuterit.